Cikloni 'Jas' godet Indinë, shënohen 2 viktima

India Verilindore u godit të mërkurën nga një ciklon i fuqishëm tropikal i cili shkaktoi viktima që në orët e para të ditës.

Stuhia me emrin "Jas" krijoi dallgë deti të cilat vërshuan zonat bregdetare në Gjirin e Bengalit.

Vërshimet mbuluan deri në gju plazhet e Digës, erërat e forta thyen palmat, ndërsa reshjet e dendura përmbytën pjesë të distriktit të Odishës, zona indiane më e rrezikuar nga ciklonet.

Një person humbi jetën nga rrëzimi i një peme e një 15-vjeçar u gjet i mbytur poshtë një ure.

"Nuk kam parë asnjëherë në jetën time, këto 30-40 vitet e fundit, një stuhi të tillë. Me gjasë uji do të ngjitet deri në qendër të qytetit dhe mund ta kalojë Digën për herë të parë."

Autoritetet ndërhynë ditë më parë duke evakuuar mbi 1 milion banorë nga fshatrat përreth dhe prej shtëpive delikate prej balte.

Ata po shërbehen në streha të posaçme me ushqime, maska e dezinfektues për shkak edhe të pandemisë e cila vazhdon ta rëndojë përditë bilancin e viktimave.

Shkencëtarët thonë se ciklonet në veri të Oqeanit Indian po bëhen më të shpeshtë e më të fortë, ndoshta si pasojë e ndryshimeve klimatike që po rritin temperaturën e deteve.

Një tjetër ciklon përshkoi Indinë javën e kaluar, duke u marrë jetën të paktën 155 banorëve në brigjet perëndimore të vendit.