Biden takon Putinin më 16 qershor në Gjenevë
Presidenti amerikan Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin do të takohen më 16 qershor, në Gjenevë. Lajmin e bëri të ditur shtëpia e bardhë, ndërsa tha se Amerika kërkon të rikthejë qëndrueshmërinë në marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Shtëpia e bardhë njoftoi këtë të martë se presidenti amerikan joe biden do të takojë homologun e tij Vladimir Putin në Gjenevë të Zvicrës më 16 qershor.
"Udhëheqësit do të diskutojnë për gamën e plotë të çështjeve të ngutshme, ndërsa ne kërkojmë të rikthejmë parashikueshmërinë dhe qëndrueshmërinë në marrëdhëniet SHBA- Rusi, tha jen psaki, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Dyshimet për një ndërhyrje ruse në dy palë zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane kanë sjellë që marrëdhëniet SHBA- Rusi të ishin të tensionuara që se Biden mori detyrën.
Deklarata e presidentit amerikan për homologun e tij se Putin është një vrasës, acaroi edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Por ka qenë vetë presidenti amerikan që ka zhvilluar një bisedë telefonike me Putin, muajin e kaluar, ku shprehte shqetësimet lidhur me krimet dhe i bëri thirrje Rusisë që të ulen tensionet. Bideni rikonfirmoi qëllimin e tij për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë, në përputhje me interesat amerikane, dhe propozoi një takim në një vend të tretë.
Më herët, për të shtruar rrugën drejt takimit të nivelit të lartë në Gjenevë, ka qenë sekretari i shtetit Antony Blinken që u takua me homologun e tij rus Sergei Lavrov, në Islandë, dhe biseduan për fushat e bashkëpunimit, duke përfshirë luftimin e pandemisë Covid-19, luftimin e ndryshimeve të klimës dhe ambiciet bërthamore të Iranit.

