Sulm kibernetik në Belgjikë, "dyshime për spiunazh" të kordinuar nga një shtet i huaj

Ministria e Brendshme belge ishte shënjestra e një sulmi kibernetik "të përparuar", por hakerat nuk arritën të fitonin akses në të dhëna të ndjeshme, tha një zëdhënës sonte, duke folur në televizionin publik RTBF.

Drejtori i komunikimit i ministrisë, Olivier Maerens, foli për një operacion "spiunazhi kibernetik". 

Sidoqoftë, ai siguroi që autorët e krimit nuk kishin qasje në të dhëna të ndjeshme të ruajtura në servera "të mbrojtur mirë".

Rasti po hetohet nga zyra e prokurorit federal për të përcaktuar se cilat të dhëna janë vjedhur dhe nëse një shtet i huaj është i përfshirë në sulm.

Një burim pranë hetimeve tha se ofensiva ishte e një madhësie të tillë "sa që mund të ishte kryer dhe koordinuar vetëm nga një shtet i huaj " .

Ekspertët belg shpjeguan se sulmi u zbulua në mars, por kishte filluar që 2019.

Më 4 maj, një sulm tjetër në shkallë të gjerë shënjestroi rrjetin Belnet i  cili lidh institucionet e arsimit të lartë dhe universiteteve, qendrat kërkimore dhe administratat publike.

 Ky sulm kishte shkaktuar veçanërisht anulimin e mbledhjeve të komisionit në Dhomë. A janë të lidhura dy ofensivat? "Asgjë nuk lejon as ta pohojmë, as ta përjashtojmë në këtë fazë".

Në rastin e Belnet, ishte një sulm DDoS (ose sulm i mohimit të shërbimit) me anë të të cilit një sasi gjigante e të dhënave u dërgohet serverave derisa të mbingarkohen.

Nga ana tjetër, ofensiva që preku Ministrinë e Brendshme ishte e një natyre tjetër dhe me një sofistikim edhe më të madh. Nuk kishte për qëllim ngopjen e faqeve të internetit ose kërkimin e një shpërblimi.