Italianët prenotojnë vaksinën antiCovid në farmaci

Ka nisur këtë javë në kryeqytetin italian Romë e në të gjithë territorin përreth që përmbledh rajoni Lazio, prenotimi i vaksinës antiCovid në farmaci.

Sistemi shëndetësor rajonal ka vënë në dispozicion rreth 600 farmaci të cilët kanë pranuar ofertën për të kryer vaksinimin e personave që prenotojnë vullnetarisht.

Brenda pak orëve ka patur një boom prenotimesh e farmacistët italianë kanë kërkuar të kenë më shumë doza në dispozicion për t'ju përgjigjur kërkesës së lartë të personave që kërkojnë të vaksinohen.

Për momentin në farmaci është lejuar të përdoret vetëm vaksinimi me Johnsons & Johnson e cila është një vaksinë monodozë.

Për të prenotuar mjafton karta personale shëndetësore e çdokush mund të zgjedhë farmacinë më të afërt apo më komode për ta kryer. 

Dhe për vaksinimin në farmaci respektohet kategorizimi në grupmosha.

Rajoni i Lazios është nga më të suksesshmit ndër 21 rajonet italiane me përqindje mjaft të lartë personash të vaksinuar.

Prej datës 27 maj në rajonin Lazio do të nis prenotimi i vaksinimit për nxënësit e maturës në mënyrë që të garantojnë sigurinë e tyre gjatë fazës së provimeve.

Prej 7 marsit 2021 rajoni Lazio në Itali, ka përfunduar plotësisht procesin e vaksinimit të personelit edukativ në cerdhe e kopshte si dhe personelit administrativ e shkollor në institucionet arsimore të të gjitha niveleve.