Vrasja e Armando Beqirit e planifikuar, dalin emrat e bashkëpunëtorëve të Angjelo Sterkajt, gruaja e viktimës kërkon dëmshpërblim

Detaje të reja janë zbuluar për vrasjen e shqiptarit Armando Beqirit në Islandë, në shkurt të këtij viti.

Mediat e huaja, raportojnë se vrasja e Armando Beqiri ishte planifikuar dhe udhëtimet e tij u monitoruan gjatë gjithë natës, para se të vritej.

Angjelo Sterkaj ka pohuar para Gjykatës se e ka vrarë i vetëm Armando Beqiri, më 13 shkurt të këtij viti. Ndërkohë të akuzuarit e tjerë kanë mohuar përfshirjen në këtë çështje. Claudia Sofia Coelho Carvahlo, e dashura e Angjelinit e deklaroi veten të pafajshme, dhe po të njëjtën gjë deklaruan edhe Murat Selivrada dhe shqiptari tjetër i përfshirë Shpëtim Qerimi.

Mirëpo ekziston një fotografi nga nata e vrasjes ku duket qartë se Murat Selivrada, i tregon me dorë Claudias, dy makinat në pronësi të shqiptarit. E dashura e Serkajt, u udhëzua t’i monitoronte lëvizjet e tij dhe më pas kur të ishin në lëvizje t’i dërgonte mesazh Shpëtim Qerimit përmes Messenger. Në mesazh ajo sqaronte se me cilën makinë kishte zgjedhur të lëvizte shënjestra. 

"Kur makina e Armando u drejtua në shtëpinë e tij në Rauðagerði 28, i akuzuari Shpëtim e ndoqi pas tij, i bashkëakuzuari Angjelin doli nga makina në shtëpinë nr. 28 dhe më pas vazhdoi duke e ndjekur për disa kohë kur ai ktheu makinën dhe priti derisa i pandehuri i tij Angjelin i dha një sinjal për ta marrë atë. Pastaj i akuzuari Shpetimi drejtoi makinën në lindje të Rauðagerði dhe e futi të bashkëakuzuarin Angjelin në veturë në Borgargerði ".- thuhet në aktakuzë.

Mësohet se pasi Angjelin u fsheh në garazhin e makinës, dhe në momentin që ka dalë Armando nga makina e qëlloi nëntë herë në trup, kokë me një pistoletë Sig Sauer të kalibrit 22.

Ndërkohë siç raportojnë mediat e huaja, familja kërkon 70 milion korona islandeze si kompensim.

Gruaja e Armandos, Þóranna Helga Gunnarsdóttir, në aktakuzë kërkon para për veten, djalin e tyre të mitur dhe fëmijën e porsalindur. Po ashtu ajo kërkon edhe pesë milion dëmshpërblim për pagimin e shpenzimeve të varrimit.