Në shtëpinë e rojes së kanabisit, banorët: Ishte djalë i mirë, se dinim me çfarë merrej
29-vjeçari, Greseld Shpataraku, u plagos të hënën nga policia, ndërsa ai po ruante një parcelë me kanabis dhe me vete kishte edhe një armë tip kallashnikov. Gazetarja e Ora News, ka qenë pranë shtëpisë ku jetonte i vetëm 29- vjeçari, ndërsa na sjell edhe komentet e banorëve të zonës.
Në katin e parë të këtij pallati, jeton 29-vjeçari Greseld Shpataraku, i cili ishte duke ruajtur parcelat me kanabis kur u plagos nga policia pasi kundërshtoi të dorëzonte armën.
Sipas banorëve të zonës, 29-vjeçari jetonte vetëm në këtë banesë, pasi babai i kishte ndërruar jetë, dhe mamaja e tij me motrën jetonin në Greqi. Banorët thonë se 29-vjeçari nuk ishte problematik për zonën, madje ai ishte punësuar edhe në një subjekt privat.
"Punonte te ky lokali këtu, ishte djalë shumë i mirë. Nuk e di me çfarë është marrë. Mbrëmë kur pashë policët, e hapën derën."
Nga ana tjetër Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, thotë se ka shpallur në kërkim një 23 vjeçar i identifikuar si A.R, i cili është arratisur nga vendi i ngjarjes.
Duke thënë se policia ka reaguar sipas standarteve SHÇBA, deklaron se aty janë gjetur 1 automatik me dy krehëra të lidhur me natriban, të mbushur me nga 30 fishekë secil, rreth 180 fishekë, një çadër strehimi, dhe rreth 270 gota të mbjella me fidanë të bimës Kanabis Sativa, dhe dy parcela me 23 bimë të mbjella në tokë;
Greseld Shpataraku fillimisht është çuar në spitalin e Fierit, por gjatë orëve të mbrëmjes shëndeti i tij është përkeqësuar pasi plumbi që kishte marrë në shpatull i ka prekur edhe shtyllën kurrizorë.
Për këtë arsye ai është dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar.
