Memelli harron ndeshjen me Tiranën: Do të jem edhe sezonin tjetër

Në vigjilje të ndeshjes ndaj Tiranës, të Mërkurën e cila do të mbyllë edhe sezonin në Kategorinë Superiore dhe jo vetëm për Skënderbeun, Migen Memelli njofton se ka arritur akordin me presidentin Takaj për të qëndruar në krye të skuadrës korçare edhe për vitin e ardhshëm. Ky ishte vendimi më logjik pasi trajneri që mori drejtimin në Shkurt, arriti të siguronte mbijetesën me skuadrën.

“Dua të falënderoj drejtuesit e klubit, që më dhanë mundësinë të drejtoj Skënderbeun në këto katër muaj. Pa diskutim edhe futbollistët në veçanti, pasi janë paraqitur mirë pavarësisht vuajtjeve të pësuara në këtë kampionat. Ju falënderoj edhe ju, që keni qenë të duruar dhe jeni pjesë e rëndësishme për futbollin. I falënderoj edhe tifozët për mbështetjen e dhënë, kanë duruar dhe kanë qenë krah futbollistëve. Dhe e fundit, vitin tjetër do ta nisin kampionatin bashkë. kjo vjen pas një bisede që kam pasur me presidentin. Nëse ka besim, ka edhe një linjë të përbashkët për atë që kemi bërë”.

Me këto fjalë, Memelli siguron vazhdimin në krye të korçarëve edhe sezonin tjetër por për të gjërat do të jenë ndryshe pasi skuadra do të kërkojë të luajë për vendet e para të renditjes, ndryshe nga ky sezon ku luftoi për mbijetesën.

“Kemi bërë një bisedë të shkurtër, detajet do të zbulohen në vazhdim. Do i bëjmë gjëra në mënyrë më të mirë të mundshme. Vitin tjetër do konkurrojmë fort, me skuadrat që i kemi ndalur, duke nisur me Partizanin, Kukësin, Teutën, Vllazninë. Do jemi rivale e denjë e kampionatit. Baza e lojtarëve është. Kush do afrohet do zbulohet në javët e ardhshme. Nuk po flasim për titull, por që do të jetë konkurrente. Pse të mos jetë në 5-6 më të mirat e kampionatit. Vendimtar ka qenë besimi, duke e parë njëri-tjetrin në sy. Është i rëndësishëm që të ketë besim të stafit te lojtarët”.

Memelli insistoi se nuk ka ende një kontratë të firmosur duke e cilësuar si një marrëveshje xhentëllmenësh sepse kryesore për të janë emocionet dhe ajo që përjetojnë tifozët. E gjithë konferenca në fakt që duhej të ishte për ndeshjen me Tiranën u kthye si një konfirmim i vazhdimit të trajnerit në krye të ekipit korçar.