Berisha non grata, Soko: Pa Ramën dhe Metën, goditje e njëanshme, elita të mbajë përgjegjësi
I ftuar në PolitikOn nga Alfred Lela në RTV Ora, Pano Soko nga Nisma Thurja lidhur me non gratan e Berishës tha se goditja e tij, pa Ramën dhe Metën është një goditje e njëanshme.
Ai shtoi se në këtë vend janë vjedhur lekë dhe se nuk mund të kalohet përgjegjësia vetëm me një non grata.
Soko: A do të mbarojë këtu kjo gjë, apo ka diçka tjetër më pas me Berishën. Nuk ka besim se këtu kemi një proces të ndershëm. Unë dua që të ikë Berisha, Meta dhe Rama. Nëse ikën vetëm ai, është një goditje e njëanshme e një krahu të caktuar politik. Nëse jep vetëm non grata është një masë gjysmake.
Kjo elitë politike duhet të paguajë për ato që ka bërë dhe kjo gjë duhet të jetë e plotë. Nëse këtu ka një mision për të ndëshkuar këtë elitë politike që e ka sjellë vendin deri këtu, goditja duhet të jetë e thellë dhe e plotë. Në këtë vend janë vjedhur lekë, nuk mund të kalohet përgjegjësia vetëm me një non grata.
