"Nëse nuk më përjashtojnë po", Shehaj tregon çfarë ndodh nëse nuk zgjidhet kryetar i PD
Pas dy garave elektorale për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Agron Shehaj, ka ndërmarrë një tjetër sfidë por kësaj herë për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike.
Para gazetarëve, Shehaj tha se Basha bëri aq sa mundi në 25 prill por tani duhet të hapë krahun pasi nuk e sjell dot në pushtet PD.
Bashkë me konstatimin për Bashën ai shpalosi dhe platformën e tij, nesër kryetar, për të çuar partinë drejt fitores.
Shehaj: Për të fituar zgjedhjet;
- Duhet reformuar PD
-Duhet të hapet PD ndaj të vjetërve dhe të rinjve
-Vendimet duhen marrë nga anëtarët e PD
-PD duhet të jetë e qartë dhe transparente në vendimet që merr
-Anëtarët e PD duhet të vendosin për karrierën e strukturës, e liderëve të PD nëpërmjet votës
-Do propozoj që votimi i listës së kandidatëve për deputetë të bëhet nga anëtarësia me një anëtar një votë. Votim i vërtetë, jo duke pyetur anëtarët kë nuk doni, por kë doni. Ata që do të kenë më shumë vota do të jenë kandidatë.
Ashtu si dy garuesit e tjerë, Kadilli dhe Harxhi, edhe Shehaj mendon se janë në kushte të pabarabarta me Bashën në këtë garë, i cili vazhdon të jetë kryetar i PD.
Shehaj: Nuk ka dyshim që nuk jemi në kushte të barabarta.
I pyetur se cili do të jetë raporti i tij me Bashën nëse ai do të vazhdojë të jetë kryetar i PD dhe a do të mbetet pjesë e grupit parlamentar të PD, ai dha këtë përgjigje.
Shehaj: Nëse nuk më përjashtojnë po. Nuk ka asgjë personale me Lulzim Bashën. Personalisht nuk më ka bërë asgjë. Unë mendoj që bëri aq sa mundi por fatkeqësisht humbëm zgjedhjet dhe ne nuk mund të presim. Nuk është çështje personale, ka të bëjë me fatin e partisë dhe Shqipërisë. Ne nuk humbëm zgjedhjet por lamë në pushtet qeverinë më të korruptuar të 30 viteve. Kjo është fatkeqësia më e madhe për vendin, ky është problemi.
Ndërkohë ai e mohoi se ka sinjale për një përjashtim të mundshëm.
Shehaj: Jo nuk besoj.

