Banorët në Baldushk kundër shembjeve të policisë bashkiake dhe IMT pa vendim gjykate: Jemi në gjyq

Një grup banorësh në fshatin Mustafakoçaj në zonën e Baldushkut dolën në protestë për të kundërshtuar shembjen e disa banesave dhe magazinave për ti lënë vendin ndërtimit të një projekti nga ana e bashkisë së Tiranës.

Sipas tyre kjo çështje është në proces gjyqësor dhe është i ndaluar fillimi i këtij projekti.

Një situatë e tillë po përsëritet për të disatën herë. Policë bashkiakë dhe inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit me mjete të rënda tentuan të vendosin tabelën e projektit për të filluar punimet por u përballën me qëndresën e banorëve.

Këta të fundit thanë se për këtë çështje janë ende në proces gjyqësor dhe se nuk mund të ndërhyhet derisa të ketë një vendim përfundimtar.

"Jemi në proces gjyqësor, kemi fituar dy shkallë të gjyqit. Mbeti në gjykatë të Apelit për arsye se nuk kishte gjyqtarë për shkak të koronavirusit. Nuk lejohet asnjë lloj punimi, e thotë gjykata, këta erdhën dhe thonë nuk njohim letrat tuaja por i njohim të shtetit. Po shteti pra e ka nxjerrë që nuk lejohen punimet.Këta erdhën dhe i shembën me forcë, me dhunë."

Sipas banorëve ata nuk kanë marrë asnjë njoftim dhe asnjë zgjidhje për dëmshpërblim, edhe në rast se shtëpitë e tyre do të shemben.

"Nuk dimë asgjë, asnjë njeri nuk ka folur.O të na vrasin ne përpara dhe pastaj të marrin vendin."

Në këtë fshat është planifikuar të ndërtohen disa objekte për të strehuar banorët e fshatit Vrap, shtëpitë e të cilëve janë prekur nga tërmeti.

"Shtëpia më është shembur dhe rri me çadër. Por nuk kërkoj shtëpi këtu, kërkoj të ma bëjnë atje në Vrap".