Kishte krijuar rrjet për shpërndarjen e drogës në Durrës, pezullohet nga detyra specialisti i Antidrogës
Pezullohet nga detyra specialisti i Antidrogës në Durrës pasi akuzohet se së bashku me persona të tjerë kanë shpërndarë lëndë narkotike.
Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Durrës-Kavajë pas një hetimi disa mujor u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësit të Policisë Edvin Sinani, i cili kryente funksionin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Policisë Durrës.
Gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës policie dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë.
"Specialisti i Antidrogës në bashkëpunim me këta shtetas, organizohej duke i veshur me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe më pas i lironin duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre. Mbi bazën e regjistrimit të procedimit penal dhe në përfundim të hetimeve paraprake, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi caktimin në mungesë të masës së sigurimit personal ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” ndaj shtetasit Edvin Sinani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”. " - njofton SHÇBA.
Për bashkëpunëtorët e tij, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
