Vrau në Korçë Altin Balliun, dënohet me 25 vite burgim Olger Mustafa

Dënohet me 25 vite burgim, Olger Mustafa alias “Geri Muçi”, i konsideruar si i “forti” i Korçës.

Vendimi është dhënë tre orë më parë nga gjykata e Korçës, e cila e ka shpallur fajtor dhe dënuar si person që ka ekzekutuar me armë shtetasin, Altin Balliu.

Ngjarja e rëndë është shënuar në 17 janar 2019, ku Mustafa e ka qëlluar me 5 plumba viktimën. Në sencën e mëparshme, prokurori i çështjes Edmond Shytko, bërë ndryshimin e akuzën për të pandehurin Mustafa, ku nga “Vrasje me paramendim”, e akuzoi në pretencën e tij, Mustafën për veprën penale të “Vrasjes me dashje”.

Duke u mbështetur në këtë akuzë, prokurori Shytko i kërkoi gjykatës së Korçës, dënimin me 22 vite burgim, për të pandehurin Olger Mustafa.

Kjo masë dënimi u kërkua nga prokurori, duke llogaritur dhe akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Por ditën e sotme gjykata e Korçës ka dalë me vendim, duke dënuar me 25 vite burgim, Olger Mustafën për akuzën e “Vrasjes me paramendim”.

Vetë prokurori, Edmond Shytko, nuk ka qënë prezent në seancë për shkak se kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vrasja e Altin Balliut, erdhi në një moment kur një grup djemsh ishin mbledhur në një lokal për të festuar Vitin e Ri në qytetin e Korçës.

Konflikti ka nisur në rrethana banale, për dritat e makinës dhe më pas sheri ka filluar fizikisht, ku në mënyrë sistematike ka qënë Olger Mustafa që ka sulmuar tre herë me rradhë grupin e djemve.

Një herë i ka sulmuar me makinë, duke i rrezikuar seriozisht jetën, herën e dytë i ka sulmuar me levë dhe herën e tretë i ka sulmuar me armë zjarri, duke lënë të vdekur në vend Altin Balliun.

Për policinë e Korçës, ky personazh është në listën e individëve si kontigjent kriminal, pasi në nëntor të vitit 2010 rezulton i dënuar nga gjykata e Korçës me 12 vite burgim, për akuzën e “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë në dëm të Marko Hysollit.

Hysolli është goditur me automatik nga Mustafa, për shkak të një borxhi financiar, prej 1 mijë euro që autori i kishte Hysollit.

Një tjetër dënim nga gjykata, Mustafa, ka marrë në shkurt të 2010, pasi ështe gjetur fajtor dhe dënuar me 660 mijë lekë të vjetra gjobë për akuzën e “drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie dhe në gjëndje të dehur”.