Mblodhi vota për vete dhe jo PD, Shehaj u përgjigjet kritikëve: E pamundur të votosh një kandidat dhe jo partinë

Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së ku u shqyrtuan kandidaturat  për kreun e kësaj partie, Agron Shehaj u kritikua nga një pjesë e kolegëve të tij se gjatë fushatës për zgjedhjen e 25 prillit është angazhuar për të bërë vota nominale për emrin e tij dhe jo partinë.

Në përgjigje, Shehaj thotë se është e pamundur që të votosh një kandidat dhe të mos votosh atë parti politike që e kandidon.

Madje sipas tij lidershipi i kësaj partie duhet ta kishte nxitur më shumë këtë "garë" dhe PD do të kishte sot tjetër rezultat.

Shehaj: Është e drejtë e tyre të kenë këtë mendim që kanë dhe nëse kanë kundërshtuar kandidaturën time. Kjo na ndan në raport  me një pjesë dhe stilin e lidershipit të PD. Një kandidat i PD nuk mund të ketë vota personale, është e pamundur të votosh një kandidat dhe të mos votosh partinë politike.Të gjithë kandidatë duhet të shtyheshin që të merrnin sa më shumë vota, duke marrë ata do të merrte dhe PD. Nëse të gjithë kandidatët do të kishin punuar për të shtuar votat e kandidatëve PD do të kishte marrë më shumë vota. Kjo ka të bëjë me stilin e drejtimit të PD duke mos ndjekur parimin e meritokracisë ku vlerësohet dhe promovohet më i zoti, më i afti. Meqë sulmohem për këtë çështje dhe unë mendoj që në zgjedhjet e kaluara të gjithë kandidatëve jo vetëm nuk u duhej thënë që kush nuk do të dalë mirë do të ndëshkohet por përkundrazi u duhej thënë që kush del më mirë do të promovohet, kjo është diferencë e madhe.

Sipas tij, një nga problemet kryesore të PD është mungesa e meritokracisë.

Shehaj: Ne duhet të vlerësojmë ata që punojnë, vetëm në këtë mënyrë mund ta bëjmë PD më të fortë dhe vetëm në këtë mënyrë ne mund të mundim Edi Ramën dhe të fitojmë zgjedhjet e ardhshme.