Në kërkim për vrasje dhe vjedhje identiteti, kapet në Rinas egjiptiani, pritet të ekstradohet

Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore i shpallur në kërkim ndërkombëtar vihet në pranga nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Përme snjë bashkëpunimi mes Policisë Kufitare Rinas,  Interpol Tiranës dhe homologëve të huaj, kapet në hyrje në Rinas, një shtetas egjiptian i dyshuar për vrasje me dashje, tentativë vrasjeje dhe armëmbatje pa leje.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht të personave që shfaqin probleme apo dyshime gjatë intervistimit, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, për mundësinë e hyrjes në Shqipëri të një shtetasi egjiptian me rrezikshmëri të lartë shoqërore për krime ndaj personit, kanë ndaluar në hyrje një person të dyshuar. Si rezultat i bashkëpunimit të ZQK Interpol Tirana me zyrat homologe, pas një intervistimi të detajuar nga Policia Kufitare e Rinasit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi i shtetasit egjiptian M. R., 50 vjeç.” – njofton policia.

Më datë 06.11.2019, në Giza, Egjipt, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri shtetasin egjitpian M. A., më pas ka marrë automjetin e viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

ZQK INTERPOL Tirana, në bashkëpunim me INTERPOL Kajron do të vijojë procedurat për ekstradimin e tij drejt Egjiptit, bazuar në marrëveshjen e ekstradimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Arabe të Egjiptit, ratifikuar në vitin 2004.