Protestë në Mirditë për abuzimin e 15-vjeçares, xhaxhai: I kanë vënë pistoletën në kokë
Dhjetëra aktivistë protestuan të premten në Rreshën kundër përdhunimit të vajzave të grave.
Protesta u nxit nga përdhunimi në grup i minorenes në Mirditë , ngjarje tronditëse e zbuluar nga policia këtë të martë.
Xhaxhai i të miturës tregon se 15 vjeçarja është droguar dhe kërcënuar nga 5 të dyshuarit kryesorë.
"Pasi e kanë droguar, e kanë shantazhuar dhe i kanë vënë pistoletën në kokë," tha xhaxhai.
Aktivistët i bënë thirrje shtetit të mbrojë gratë dhe vajzat nga abuzimet.
"Kërkesa për edukim seksual dhe barazi gjinore, kërkesa për të ngritur hapësira që janë të sigurta për vajzat dhe gratë," tha një aktiviste.
Edhe Ipeshkvi i Rrëshenit Dom Gjergj Meta i pranishëm në këtë tubim, apeloi për edukimin e të rinjve dhe rejave.
"Të krijojmë ambiente, vende, një edukim që të jetë sa më mbrojtës ndaj personave që kanë nevojë, sidomos gratë," tha ai.
Në lidhje me rastet e fundit të dhunës seksuale nga vajzave në vendin tone, reagoi edhe përfaqësia e Brukselit ne Tirane.
"Delegacioni i BE-së dënon me forcë rastet e fundit të abuzimit seksual të vajzave në Shqipëri. Nuk ka asnjë justifikim për përdhunim ose ndonjë formë të abuzimit seksual. Jo do të thotë jo. Mbroni vajzat në Shqipëri. Drejtësia, policia, shërbimet sociale dhe të gjitha institucionet duhet të veprojnë kundër kësaj dhune të tmerrshme. Përdhunimi është një krim dhe indiferenca vret," thuhet në deklaratën e tyre.
Një protestë e ngjashme kundër dhunës seksuale është mbajtur edhe në Peshkopi.
