"Do flasim ndryshe jashtë, do ta presim gjuhën", Logu: Përfaqësuesja e PS Joana Melegu ka kërcënuar me jetë anëtarin e PD


Përfaqësuesi i PD në KQZ, Marash Logu ka denoncuar një rast që një përfaqësuese e PS ka kërcënuar me jetë një nga vëzhguesit e PD. Ky është pretendimi i zotit Logu, i cili shprehet se kryetarja e njësisë 2 në Berat Joana Melengu ka kërcënuar me jetë një vëzhgues të PD duke i thënë se do flasim ndryshe jashtë.

"Siç e dini prej dy ditësh në KQZ me kërkesë të partive opozitare është zhvilluar rinumërimi i votave. Vëzhguesit e PS ishin të gjithë punonjës të administratës së bashkisë Berat. PS përdori të gjithë administratën në funksion të fushatës së saj. Ajo që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe ditën e sotme është një ngjarje e rëndë, një vëzhguesja Joana Melengu ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur vëzhguesin e PD  se kur te dalim jashtë do flasim ndryshe, kur të dalim jashtë do ta presim gjyhën.

Joana Melengu është kryetarja e njësisë numër 2 në Berat e cila u kap nga anëtarët  e PD  duke shpërndarë ushqime gjatë fushatës elektorale. Kjo shtetase duhet të ishte në burg, por sot ishte duke kërcënuar vëzhguesit e PD, i cili nuk do të prononcohet sepse ka frikë. Nëse për PS kjo është një ngjarje  e pranueshme, për ne jo. Ne kemi denoncuar se si janë kërcënuar përfaqësuesit tanë gjatë fushatës dhe janë kërcënuar edhe sot. Ky rast do denoncohet në polici, prokurori  dhe duhet të na bëjë të vetë dijshëm se sa i rënde ishte ky rast. Joana Melengu ishte duke blerë vota gjatë fushatës elektorale dhe sot ishte në tavolinë duke numëruar. Rinumërimi ka provuar atë që ne e kemi thënë, votuesit shqiptarë u kërcënuan, shantazhuan. Administrata u përdor për manipulimin  e zgjedhjeve të 25 prillit.

Ne do ta vazhdojmë betejën tonë deri në fund."

Ky pretendim i PD nëpërmjet përfaqësuesit të saj Marash Logu ka ardhur në fund të rinumërimit të kutive.  Kjo mbetet ëpr t'u vërtetuar nga kamerat e vendosura nga KQZ.  KAS do dalë në orën 17:30 me një përfundim pasi të bëjë dhe raportet përfundimtare.