"Kujdes në timon!" Policia në rrugë me kamera, dronë, radarë për fundjavë

Rritja e numrit të aksidenteve ka mobilizuar policinë rrugore me një sërë masash të reja në lidhje me kontrollin e trafikut rrugor. Drejtori i Rrugores, Edmond Tarkaj theksoi se shërbimet e policisë do të përdorin të gjitha mjetet logjistike si kamera, dronë, radarë, për të evidentuar dhe dokumentuar çdo shkelje.

Pyetjes së drejtuar nga RTV Ora për mungesën e sinjalistikës rrugore e cila shpesh është bërë shkak për aksidente drejtori iu përgjigj duke pohuar një rishikim të tyre.

"Policia Rrugore do të përdorë të gjitha mjetet logjistike si kamera, dronë, radarë, alkooltestues, makina të paloguara dhe me aparate fotografike, për të evidentuar dhe dokumentuar çdo shkelje të qarkullimit rrugor."  

Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2021 në të gjithë Shqipërinë kanë humbur jetën 70 persona. Krahasur më një vit më parë numërohen 21 viktima më shumë ndërkohë që policia e shtetit fton të gjithë qytetarët të denoncojnë cdo shkelje në qarkullimin rrugor.

Policia e Shtetit nën moton "Ruaj jetën dhe kuletën duke respektuar Kodin Rrugor", njoftoi se do të intensifikojë punën me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.