Ekzekutimi i Endri Mustafës/ 15-vjeçari dhe familja e tij merren në mbrojtje, bashkëpunëtor drejtësie

Policia e Shkodrës merr në mbrojtje 15 vjeçarin E.M i arrestuar nga prokuroria e Shkodrës për vrasjen e komshiut të tij, Endri Mustafa.

Ai konsiderohet si dëshmitari kryesor i ngjarjes që tronditi Shkodrën në 17 maj në zonën e Livadhes.

I mituri dhe familjarët e tij  janë marrë në mbrojtje nga policia e Shkodrës ndërsa burime pranë policisë thanë për “Ora News”, se tashmë kanë nisur procedurat për dhënien e statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë për 15-vjeçarin.

Adoleshenti nuk është izoluar në burg


Për shkak të moshës së vogël,  nuk është izoluar në burg por do mbahet në një qëndër paraburgimi, që ka si synim rehabilitimin e të miturve që përfshihen në krime.

Dosja penale që flet për vrasjen e babait të tre fëmijëve, Endri Mustafa, po hetohet nga prokurori i Shkodrës, Gëzim Spahiu.

Statusi i bashkëpunëtorit 

Mësohet se prokurori, së bashku me policinë e këtij qyteti kanë nisur tashmë procedurat për dhënien e statusit të bashkëpunëtorit të Drejtësisë, 15-vjeçarit Ergys Malja.

Ky i fundit është njeriu kryesor që ka parë nga afër vrasjen e Endri Mustafës, vrasje e cila sipas dëshmitarit është kryer nga Ibrahim Lici.

Endri Mustafa, është larguar nga banesa mbrëmjen e 15 majit 2021, rreth orës 22:00. Plot 24 orë më pas bashkëshortja e tij Ingrid Mustafa, ka bërë kallëzim në polici se 32-vjeçari ishte zhdukur.

Biseda e fundit

Gruaja ka treguar dhe bisedën e fundit që Endri, kishte bërë me nënën e tij dhe kjo e fundit e kishte paralajmëruar të mos merrej me 15 vjeçarin, duke i kujtuar një bisedë të vjetër që para një viti, ai kishte treguar se kishte marrë 3 mijë euro për të nxjerrë në pritë dike tjetër.

Edhe në këtë rast, 15 vjeçari cilësohet nga prokuroria si personazhi, që ka nxjerë në pritë Endri Mustafën dhe më pas ai tregon se vrasjen e ka kryer në Livadh, Ibrahim Lici.

Në dëshminë e tij adoleshenti ka thënë se ka qenë Ibrahim Lici i cili e ka goditur direkt Endri Mustafën."…aty i ka dalë para Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endri Mustafën, i cili është shtrirë në tokë duke i thënë:"…aman mos më vrit pash zotin, se kam fëmijë…". Ai e ka qëlluar përsëri, madje edhe në fytyrë, duke i thënë "qofsh i xhenetit", mësohet të ketë dëshmuar adoleshenti.