PSG shumë e fortë për Monacon, rrëmben Kupën e Francës

Si asnjë ekip tjetër, PSG fiton Kupën e Francës duke shënuar një rekord me 14 trofe në historinë e klubit. Në finalen e luajtur në “Saint Denis” nuk pati histori ndaj rivalëve të Monacos të cilët kanë rivalizuar parizienët edhe në kampionat por që në një ndeshje të tillë nuk kishin se çfarë të bënin.

Mbappe me shokë të privuar edhe nga Neymar të skualifikuar, arritën të fitonin me rezultatin e pastër 2-0, me nga një gol të shënuar në çdo pjesë. Fillimisht Mauro Icardi në 19’ ishte protagonist me golin e parë ndërsa në të dytën Mbappe vulosi suksesin dhe medaljen e radhës për skuadrën.

Me këtë trofe, PSG merr një bonus për moralin e skuadrës në pritje të ndeshjes së fundit në kampionat ku shpreson te tituli pasi është vetëm 1 pikë larg Lille.