Mbappe vendos dy kushte që të rinovojë kontratën me PSG
Kylian Mbappe mbetet çështja kryesore te Paris Saint Germain me sulmuesin francez i cili ende nuk ka rinovuar kontratën që skadon pas një sezoni. Mësohet se një vendim nga lojtari nuk do të vijë deri sa të përfundojë Kampionati Europian e gjithsesi vetë Mbappe ka vënë dy kushte që të hedhë firmën në kontratën e re.
Bisedimet mes palëve vijojnë dhe një nga mundësitë e ofruara nga klubi është zgjatja e kontratës deri në vitin 2025 me mundësinë që drejtuesit ta lejojnë në 2024 të largohet por kjo duket shumë e largët për Mbappe ndërkohë që për të ka një interesim të fortë si nga Liverpool ashtu edhe nga Real Madrid.
Në negociatat që po zhvillohet, Mbappe ka dy kushte për Leonardon dhe një prej tyre është që ai të firmosë deri në vitin 2023 me PSG. Kjo bëhet për një arsye të qartë që bomberi francez të luajë edhe një sezon në Paris dhe në verën e vitit 2022 ai të largohet për një shumë të kënaqshme për klubin ndërkohë që edhe ekipet e interesuara të kenë marrë veten nga pandemia.
Kushti i dytë dhe më i rëndësishëm i vendosur nga Mbappe është garancia sportive. Sulmuesi kërkon një ekip tepër kompetitiv që t’i sigurojë atij fitimin e Champions League, ku këtë sezon u eliminua nga Man. City në gjysmëfinale. Ai beson se duhen dy superblerje në verë, si një mesfushor teknik dhe krijues bashkë me një mbrojtës shumë të aftë anësor që skuadra të kompletohet. Duket si ndërhyrje në planet sportive të PSG por në fakt, Florenzi, Paredes, Herrera e Gueye që janë aktualisht në skuadër nuk kanë shfaqur atë nivel që pretendon Mbappe dhe shumë tifozë parizienë.
