Kufiri i kompetencave të Metës, Komisioni Hetimor dëgjon mendimin e ekspertëve

Për një orë e gjysmë Komisioni parlamentar hetimor ndaj presidentit Ilir Meta ka dëgjuar mendimin e ekspertëve sa i përket sjelljes së Kreut të Shtetit gjatë fushatës se zgjedhjeve parlamentare.

Erind Mërkuri paraqiti para 9  anëtarëve ekspertizën e tij bazuar dhe në eksperiencën në disa shtete.

"Gjykata Kushtetuese e Koresë u shpreh se pavarësisht se zgjidhej politikisht, vjen nga një parti politike, nuk ka asnjë justifikim që presidenti të shkelë neutralitetin në një fushatë elektorale. Presidenti i Kosovës mbante njëkohësisht dhe funksionet partiake, kryetar partie. Pavarësisht se presidenti i Kosovës pretendoi se nuk e kishte ngritur funksionin e tij partiak, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se thjesht lidhja e Presidentit me një forcë të caktuar politike i jep një avantazh të pamerituar një force të caktuar politike."

Sipas tij Presidenti ka të drejtën e lirisë së fjalës, por i kufizuar.

"Presidenti nuk duhet të mbajë anësi politike, mund të ketë qëndrime politike, mund ta ushtrojë lirinë e tij të shprehjes brenda kufijve që thamë por kjo nuk duhet kuptuar si në favor apo kundër subjekteve të caktuara politike në këtë rast."

Madje edhe në rastin e referendumit dhe të kthimit të ligjeve për Mërkurin Presidenti nuk mund të dalë jashtë formulës së qëndrimit mbi palët.

"Presidenti cakton me dekret datën e referendumit, Kushetuta sugjeron që nëse ka disa referendume të bëhen në një ditë. Por presidenti vetë të organizojë apo kërkojë referendum, nuk e ka këtë kompetencë."

Anëtarët e komisionit kanë kërkuar mendim dhe mbi sjelljen e Kreut të Shtetit në marrëdhëniet me jashtë.

"Përgjegjësia apo politika e jashtme i takon këshillit të ministrave me përjashtim të atyre që i njihen presidentit të republikës.Megjithatë kur Presidenti ushtron ato kompetenca që janë ekskluzive të tij nuk mund ti ushtrojë në mënyrë të pavarur."

Komisioni hetimor do të vazhdojë punimet edhe javën e ardhshme, teksa të hënën socialistët kanë deklaruar se i kanë lënë afatin e fundit Presidentit për ta dëgjuar në interpelancë.