Pesë rivalët e Bashës, Fatbardh Kadilli dorëzon kandidaturën për kryetar të PD-së

Fatbardh Kadilli, anëtari i kryesisë së PD-së dorëzoi sot zyrtarisht kërkesën për të kandiduar për kryetar të PD-së.

Në dalje të selisë PD foli për garë të pandershme ndërsa tha se mosdorëheqja e Bashës e vendos garën në kushtet e pabarazisë.

“Ka në dispozicion të gjitha mjetet të cilat ishin konceptuar, strukturuar për të përballuar kundërshtarin Edi Rama e këto do të jenë sot përballë meje. Por ka dhe një asimetri tjetër, atë morale ku ndihem më superior."

Dy orë më pas në selinë blu shkuan Edit Harxhi dhe Ibsen Elezi, ish kreu i PD-së në Kukës. Të dy njihen si pjesë e grupimit për PD ndërsa kërkojnë të sfidojnë Lulzim Bashën.

"Shpresoj që PD të rikthehet në ato vlera që ajo ka pasur, në vlerat e konkurencës së barabartë" u shpreh Harxhi.

Ata gjithashtu kërkojnë dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe disa kërkesa të tjera. 

Pritet që për kandidat për kryetar të PD-së të vijnë dhe dy emra që nuk janë të njohur publikisht por që do kërkojnë të kandidojnë për kreun e PD-së informon gazetari i Ora News, Everest Dedaj. 

Në garë për të mbajtur postin e kreut të PD-së do të jetë edhe Lulzim Basha i cili u regjistrua mbrëmjen e 21 majit.

Nesër në mesnatë përfundon dorëzimi i kandidaturave. Kryesia pritet të mblidhet pasditen e së dielës.