Defender Europe 2021 /Yuri Kim: Kur aleatët bashkëpunojnë, janë dominues në ajër, në tokë dhe në det
Trupat amerikanë dhe shqiptarë, pjesë e stërvitjes “Defender Europe 2021” kanë ekspozuar pajisjet dhe forcën para qytetarëve të Vlorës në Lungomare.
Aktiviteti u ndoq edhe nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, por edhe përfaqësues të vendeve të tjera aleate të NATO-s.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim theksoi se “kur aleatët e NATO-s bashkëpunojnë me njëri - tjetrin ata janë dominues qoftë në ajër, në tokë apo në det."
Yuri Kim tha se prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbeten demokracia, mbrojtja dhe biznesi. “Tani jemi duke hyrë në një periudhë domethënëse të gjithë këtyre zhvillimeve. Defender 21 është në fakt stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore. Do të thotë që me mijëra trupa nga SHBA, por edhe aleatë të tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve janë të përfaqësuar edhe këtu sot, po tregojnë një rritje të aftësive tona për të bashkëpunuar së bashku si aleatë ushtarakë”, u shpreh ambasadorja Yuri Kim.

Ndërkohë Ministri i Mrojtjes, Niko Peleshi u shpreh:"Nuk është një ditë për ambasadorët apo personalitetet, por është një ditë për qytetarët, të cilët kanë mundësi të shohin nga afër se kush është ushtria shqiptare, se çfarë synon stërvitja Defender ‘21, cilat janë kapacitetet tona dhe në fund fare të marrë një shije të mirë dhe të jetë krenar që është shqiptar.”
“Defender Europe 2021”, është stërvitja më e madhja ushtarake që pret Shqipëria si aleate e NATO-s, me pjesëmarrjen e rreth 28 mijë trupave shumëkombëshe.
