Hetim prokurorëve të Dibrës, Olsian Çela dorëzon kërkesën në ILD: Zvarritën dosjet

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka kërkuar marrjen e masave ndaj tre vartësve të tij në Dibër për shkak të zvarritjes së dosjeve hetimore. Në kërkesën drejtuar ILD-së thuhet se dy prokuroret Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj dhe drejtuesi i akuzës në Dibër, kanë lënë pa trajtuar një numër materialesh kallëzuese përfshirë edhe dosje që kërkonin hetim proaktiv.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për shkelje ndaj prokurorëve të Dibrës Belina Zeneli, Xhoana Mehmetaj dhe drejtuesit e prokurorisë Rifat Kojku.

Shkak për inicimin e këtij hetimi është bërë kontrolli i Prokurorisë së Pergjishme që ka zbuluar se prokurorja  Xhoana Mehmetaj për rreth gjashtë muaj, nuk ka kryer asnjë veprim për një procedim, aq më tepër që dosja në fjalë ka pasur natyrë proaktive.

Në këtë kuadër Prokurori  i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e veprimeve hetimore urgjente për dokumentimin e fakteve të pretenduara.

Ndërsa për Belina Zenelin, Kryeprokurori thekson se ajo ka përfunduar vetëm 20 procedime penale nga 207 që ka patur nën hetim, numër ky disa herë më i vogël se totali i procedimeve penale të përfunduara nga prokuroria e dibrës gjatë vitit 2020.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm nga analizimi i të dhënave të pasqyruara, në raportin vjetor të prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, drejtuesi i prokurorisë nuk i ka ushtruar kompetencat ligjore, duke sjellë si pasojë mosushtrimin e ndjekjes penale, për një numër tepër të madh materialesh procedurale, si dhe për zvarritjen e një numri procedimesh penale, të cilat kanë qënë në hetim nga dy prokuroret Blerina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj.

Pas kërkesës së olsian çelës, pritet që ILD të fillojë procedurat verifikuese dhe më pas të thërrasë edhe vetë prokurorët për tu marrë shpjegime.