Berisha ‘non-grata’ nga SHBA/ Mërtiri: Qëndrim politik i DASH, nuk ka prova dhe fakte
Sociologu Ergys Mërtiri, ka komentuar shpalljen “non-grata”, nga SHBA, për ish-kryeministrin Sali Berisha.
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Mërtiri u shpreh se nuk ka dokumente ose fakte se pse Berisha është shpallur person i padëshirueshëm në këtë shtet.
Sipas tij më tepër është qëndrim politik i Departamentit të Shtetit.
"Blinken ka bërë publik dhe zyrtar vetëm qëndrimin e tij dhe të departamentit të shtetit mbi Zotin Berisha. Zoti Bliken dhe DASH dhe askush nga administrata e DASH nuk ka treguar prova, fakte apo raste për të cilat, Zoti Berisha konsiderohet i tillë. Në këtë aspekt ne nuk kemi asnjë të dhënë që të ndërtojmë një gjykim nëse ka të drejtë ose jo DASH. Në gjykimin tim është qëndrim politik, i DASH dhe për sa kohë është i tillë nuk mjafton që SHBA të pengojnë Zotin Berisha të hyjë në SHBA. Qëndrimi bëhet më shumë për ta marrë vesh ne.
E gjithë kjo është e veshur më një mister të pashpjegueshëm. Askush nuk e ka të qartë pse ky vendim, pse tani, pse Zoti Berisha dhe jo të tjerë, për çfarë arsyeje bëhet, çfarë ka mbrapa, apo është thjesht goditje e personit për interesa të SHBA. Të gjitha këto janë një mister shumë i madh. Kjo mund të bëhet për të përcjell një mesazh, por cili është mesazhi."
Mërtiri thotë se SHBA ka shpallur ‘non grata’, një nga figurat politike më të mëdha politike, teksa shton se ky vendim ngre një sërë pikëpyetjesh.
"Për sa kohë që një vend si SHBA, ka këtë qëndrim për një nga figurat politike më të mëdha që ky vend ka pasur ndonjëherë, pra të gjitha këto ngrejnë pikëpyetje që prodhojnë pasiguri sesa një efekt pozitiv për politikën shqiptare.
Pyetja që shtrohet përse DASH, ka vendosur të dënoj korrupsionet të ndodhura 12 vjet, 13 vjet më para dhe jo ato tani, korrupsione që vazhdojnë të ndodhin edhe pas reformës në drejtësi. Kjo është e pashpjegueshme. Ne nuk kemi fakte që mund te hetohen. Të gjitha këto nuk na japin një hipotezë të qartë."


