Berisha "non grata" Bumçi: Mesazh i gabuar, si luftohet korrupsioni nëse nuk merresh me qeverinë që ka kapur gjithçka?

I ftuar në RTV Ora, ish-deputeti demokrat Aldo Bumçi u shpreh se shpallja non-grata e Berishës është një vendim  në kohën më të papërshtatshme dhe mund të çojë në mesazhe të gabuara për popullin shqiptar. Ai citoi dy analistë me emër, njohës të rajonit dhe Ballkanit siç janë Janusz Bugajski dhe Tim Judah  të cilët shprehet se koha për marrjen e këtij vendimi nga DASH nuk përligjet.

Bumçi: "Në Amerikë lobimet janë zyrtare, ligjore. Amerika është një sistem qeverisës që lobimin e ka legjitim dhe e ka të pranueshëm. Shqipëria nuk është kërthiza e botës, nuk është një vend i madh. Ka disa korniza dhe brenda këtyre kornizave ka hapësirë për interpretim, për veprim dhe këtu luajnë aktorë të ndryshëm lobues. Janusz Bugajski është një nga analistët më të shquar amerikanë, njohësi më i mirë i rajonit.

Ai ka thënë se ky është një vendim në kohën më të papërshtatshme, është një vendim që mund të çojë një vendim të fortë të gabuar, është një vendim diskriminues sepse nuk është marrë ndaj asnjë drejtuesi tjetër në Ballkan dhe në Evropën Lindore në këtë nivel.

Tim Judah një autoritet, pjesë e "The Economist" një nga revistat më të njohura botërore thotë :"Pse tani? Berisha nuk është në detyrë, ka lënë pushtetin vite më parë. Koha nuk përligjet."

Zoti Bumçi në fjalën e tij tha se raportet e fundit të Departamentit Amerikan flasin për korrupsion të qeverisë Rama dhe kapjen e shtetit dhe thotë se nuk mund të luftohet korrupsioni nëse nuk merresh me qeverinë por me opozitën e cila është e zhveshur nga të gjitha pushtetet.

Sipas Bumçit zoti Berisha është një vigan që mori përsipër të mbajë mbi supe betejën.

Bumçi: "Raportet e fundit për qeverinë Rama flasin për korrupsionin në  nivelet më të larta, flasin për kapje të shtetit. Nuk ka vijë ndarëse mes partisë pushtet dhe shtetit. Nëse ne kemi kapje të shtetit, kjo qeveri e korruptuar siç e thonë raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, siç e thonë kushtet e vendosura nga BE që jemi larguar në 8 vjet.

Ne plotësuam të gjitha kushtet me qeverinë Berisha për statusin e vendit kandidat që u mor menjëherë pas zgjedhjeve. Në këto 8 vite nga 5 kushte janë bërë 15 ku futen hetimi i krimit, korrupsionit, zgjedhjeve, ngritja e institucioneve se nuk ka institucione. Sot si mund e të luftohet korrupsioni nëse ti nuk merresh me qeverinë që ka kapur gjithçka, siç e thotë Departamenti  Amerikan por me opozitën? Këtu hamendësimet janë të shumta dhe një nga këto është çështja e Kosovës.

Unë nuk mohoj që nuk ka lobistë zoti Rama, madje një pjesë e lobistëve janë të njëjtë me zotin Vuçiç. Gjatë 8 viteve të qeverisje sonë janë shënuar pikat kulmore të marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë dhe atë qeveri e drejtori zoti Berisha. Është në raportet amerikane, në vizitat e larta, në investimet amerikane dhe në gjithçka tjetër. SHBA është aleati ynë strategjik. Zoti Berisha është vigan, është ai që i mbart peshat, ai mbart betejën dhe tha unë do bëj betejën. ''

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku