Bashkia Shkodër sqaron proçedurat e ankandit për shitjen e Vllaznisë
Ditën e sotme është zhvilluar faza e dytë e ankandit për privatizimin e Vllaznisë dhe sipas një njoftimi të fundit nga Bashkia e Shkodrës, aksionet e klubit janë 100% në shitje që do të thotë se në fund të proçesit, Bashkia nuk do të ketë më asnjë të drejtë mbi klubin.
Në ambientet e Këshillit Bashkia të qytetit u paraqitën 3 ofertues për fazën e dytë, Joni 5 Shpk, sponsori aktual i klubit Alban Xhaferi dhe Almiro Gurakuqi të cilët kanë kaluar fazën e parë kualifikuese.
Lidhur me proçesin e privatizimit, Bashkia Shkodër ka dalë me një njoftim në profiling e tyre në Facebook ku kanë shpjeguar proçedurat dhe hapat që do të vijohet, pa dhënë ende një profil të qartë të ofertuesve dhe paketave financiare që janë në tryezë.
“Sot me datë 19/05/2021 në Bashkinë Shkodër, Njësia e Ankandit, e ngritur me urdhërin e titullarit të Bashkisë Shkodër nr. 54, datë 22.01.2021 “Për krijimin e njësisë së ankandit me objekt: “Shitje me ankand aksionet e klubit të futbollit “Vllaznia” sh.a në masën 100%”,
pasi ka shqyrtuar dhe vlerësuar të gjithë dokumentacionin e subjekteve ofertues me kujdes, në përputhje me
• përcaktimet ligjore të ligjit nr.9874, datë 14.02.2008 “Për ankandin publik”, të ndryshuar, dhe VKM 1719, datë 17.12.2008 " Për miratimin e rregullave të ankandit publik", të ndryshuar,
• sipas kushteve dhe kërkesave të përcaktuara në njoftimin e ankandit,
• sipas dokumenteve standarte të ankandit,
• dhe dokumentacionit në dosjen e ofertave përkatëse,
ka njoftuar me shkrim secilin subjekt ofertues mbi vlerësimin e dokumentacionit teknik përkatës.
Pas përfundimit të afateve ligjore të ankimimit/rishikimit administrativ, subjektet e kualifikuara do të njoftohen me shkrim dhe nepërmjet adresës elektronike nga Autoritei Shitës Bashkia Shkodër, për datën dhe vendin e zhvillimit të proçedurës vijuese të ankandit”.
Siç është bërë e ditur, që ka nisja e këtij proçesi pritet që 1 javë pas fazes së dytë të shpallet edhe fituesi i ankandit ose pronari i ri i Vllaznisë.
