Torino mbetet në Serinë A, Immobile dënon Beneventon

Në “Olimpico” u luajt ndeshja e prapambetur e javës së 25-të të Serisë A, Lazio-Torino e cila ishte shtyrë për shkak të infektimeve atëherë të lojtarëve granata ndërsa tani kjo sfidë kishte vlerë vetëm për ta për shkak të rrezikut të rënies një kategori më poshtë.

Në një sfidë që dukej e qetë dhe u luajt me shumë kujdes, të paktën nga Torino, ishte Lazio që mund t’i jepte një goditje ekipit mik pasi në 84, Immobile fitoi një penallti dhe një gol i shënuar mund të çonte Torinon në një finale me Beneventon në javën e fundit.

Nga pika e bardhë e penalltisë, bomberi i Lazios gabon në mënyrë të pashpjegueshme dhe ndeshja mbyllet pa gola duke i dhënë zyrtarisht Torinos qëndrimin në Serinë A edhe për sezonin tjetër. Një pikë i duhej ekipit granata dhe u arrit çka dënon përfundimisht Beneventon që rikthehet në Serinë B.