Hakmarrje për finalen e FA Cup, Chelsea mposht Leicester 2-1

Në pak ditë ishte ndeshja e dytë mes Chelseat dhe Leicester City. Nëse duelin e parë, finalen e FA Cup e fitoi Leicester City, kjo e sotmja ishte tjetër finale pasi luhej fati i kualifikimit në Champions League dhe Chelsea nuk mund të gabonte dy herë. Me ndihmën e tifozëve në “Stamford Bridge”, ekipi i Tuchel triumfoi 2-1 në një ndeshje të dominuar padiskutim dhe tashmë është pranë objektivit edhe pse nuk është siguruar ende.

Pas një pjese të parë që foli vetëm për Chelsean dhe 2 gola të anuluar, e dyta nisi edhe më fort për “Blutë e Londrës” të cilët gjetën golin e çlirimit që në start në 47’ me Rudiger i cili e shtyi me gju topin në rrjetë. Në 67’ falë një penalltie Jorginho dyfishoi rezultatin dhe i dha qetësinë vendasve por Leicester u zgjua dhe rihapi sfidën me golin e Iheanacho në 76’. Paksa në panik, Chelsea la disa hapësira dhe “Dhelprat” mund të kishin barazuar me pak fat por ishte mbrëmja e hakmarrjes dhe 3 pikët shkuan për Chelsean.

Tani londinezët kalojnë në vend të tretë me 67 pikë dhe Leicester zbret në të katërtin me 66 pikë teksa Liverpool është gati për t’u afruar me 63 pikë.