Hetimi i dytë për Metën, Komisioni kërkon informacione nga SHISH dhe raportin e Venecias
Një ditë pas ngritjes së komisionit hetimor me 98 vota nga Parlamenti, socialistët nuk humbin kohë për të nisur hetimin parlamentar ndaj presidentit Ilir Meta. Kryetari Alket Hyseni u tregoi 8 deputetëve të tjerë që puna e tyre 3 javore do të ketë objektiv vetëm kushtetutën, duke u zhveshur nga paragjykimet politike.
"Objektivi, qëllimi i këtij komisioni hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti i Republikës përbëjnë shkelje të rëndë kushtetuese. Verifikimi i pasojave të këtyre akteve," tha Hyseni.
Në planin paraprak të hetimit, komisioni do të kërkojë të dhëna nga institucionet që janë të lidhura me objektivin e komisionit, si dhe pritet të thirret në një seancë dëgjimore edhe Kreu i Shtetit.
"Ky komision, përtej të drejtës së Presidentit ka dhe të drejtën e tij si komision për ta thirrur Presidentit në një dëgjesë. Pikë tjetër është marrja e të dhënave zyrtare dhe jo zyrtare që njihen publikisht nga institucionet lidhur me objektin e hetimit të këtij komisioni," u shpreh Hyseni.
Por Spartak Braho, Myslim Murrizi dhe Klotilda Bushka kërkuan që në punën e komisionit të përfshihen edhe dokumente apo informacione nga institucione të tjera.
"Ne duhet të kemi tabelën atje e t'i shohim publikisht ato imazhe të cilat akuzohet Presidenti i Republikës," u shpreh Braho.
"Të shtohet edhe e gjithë gama e opinioneve të Komisionit të Venecias në lidhje me këtë çështje, të jetë pjesë e planit të hetimit," u shpreh Bushka.
"T'i kërkojë informacion zyrtarisht Agjencive Ligj-zbatuese të Shërbimit Informativ Kombëtar, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Anti-terrorit," u shpreh Murrizi.
Deri në 8 korrik komisioni hetimor duhet të sjellë në parlament një raport nëse Ilir Meta e ka shkelur rëndë Kushtetutën apo jo. Ndërsa fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese.

