Ndërtuan laborator kanabisi në ndërtesë, arrestohet një nga autorët e dy punonjës të OSHEE në Lushnjë
Policia e Lushnjës ka goditur një rast të tentativës së kultivimit të bimëve narkotike.
Në kuadër të operacionit "Krutja" në prangat e policisë ka rënë njëri prej autorëve të kësaj ngjarje dhe dy punonjës të kompanisë OSHEE.
Gjithashtu është shpallur në kërkim pronari i ndërtesës i cili është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale si edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë.
Policia informon se në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Mario Çela40 vjeç, banues në Lushnje, si dhe u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve Ervin Rista45 vjeç, banues në Tiranë, Lirim Serdani54 vjeç dhe Igli Borova, 27 vjeç, banues në Fier.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përshtatur ambientin e një ndërtese në pronësi të shtetasit E. R., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për veprën penale "Shpërdorim detyre" shtetasit Mestan Zoto., 64 vjeç, banues në fshatin Ardenicë dhe Vilsi Liçi, 23 vjeç, banues në fshatin Gorre.
Të dy këta shtetas, punonjës të kompanisë OSHEE, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën, (duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike).
Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet elektrike që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike dhe fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike.
Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Lirim Serdani u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarak dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në kushte laboratorike.
Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, "Shpërdorim detyre", “Vjedhja e energjisë elektrike" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak".
