“Shkarkimi i Metës” komisioni hetimor e ka me ngut, punë dhe në fundjavë, Braho kërkon para

Konstituohet Komisioni i Posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Kryetari i Komisionit Alket Hyseni, tha se ky është rasti i parë ku 49 deputetë kanë bërë kërkesë për shkarkimit e Presidentit të Republikës.

Alket Hyseni tha se ky komision do të mblidhet edhe në fundjavë.

“Orët për këtë komision janë të çmuara do të detyrohemi të punojmë edhe gjatë fundjavë.”

Gjithashtu theksoi se Komisioni do të hetojë nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u shprehur se përtej politikës vendimet do të bazohen vetëm tek Kushtetuta.

"Sipas ligjit më duhet të paraqes qëllimin e ngritjes së këtij komisioni dhe detyrat e këtij komisioni.

Objektivi përcaktohet nga vendimi i këtij parlamenti për ngritjen e këtij komisioni, bazuar mbi kërkesën e deputetëve.

Sipas vendimit të gjykatës kushtetuese ngritja e komisioneve është e lejueshme.

Kjo është parashikuar në Kushtetutë dhe në rregulloren e Kuvendit ku komisioni i ligjeve kreu procedurën e tij, zhvilloi mbledhjen dhe i bëri me dije Presidentit të Republikës të drejtën për të dëgjuar.

Presidenti nuk u paraqit në afatin e kërkuar nga komisioni, duket njoftuar pamundësinë për këtë afat, por është e drejta e Presidentit.

Objekti i këtij komisioni është:

A- Hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjet zgjedhore përbëjnë shkelje të rëndë kushtetuese;

B- Verifikimi i pasojave të këtyre akteve në raport me unitetin e popullit, prishjen e qetësisë publike, nxitjen e urrejtjes dhe dhunës, vënien në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjen dhe intimidimin e institucioneve publike;

C-Verifikimi i akteve, sjelljeve dhe  qëndrimeve të caktuara  të Presidentit të  raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese."

Braho: Të përcaktohet  fondi në dispozicion të Komisionit

Anëtari i këtij Komisioni, Spartak Braho tha se duhet të përcaktohet fondi në dispozicion të Komisionit.

Braho gjithashtu theksoi se Komisioni do të jetë shumë korrekt me medien.

"Do të kërkoja që të përcaktohet këtu pikë e veçantë fondi që duhet të vihen në dispozicion për komisionin hetimor. Pra ky komision i akordohet një fond i posaçëm, ta kemi ne këtu sepse do nevojitet për gjëra të tjera, ta legalizojmë.

Lidhur me planin paraprak të hetimit si çështje unë do të sugjeroja:

Ne na është dhënë në dorë për t'u hetuar një çështje mbi bazën e së cilës do të arrijmë në përfundime ka shkelje të rëndë apo s'ka shkelje të rëndë. Do të thotë ne duhet të jemi shumë korrekt me medien, për mua as Prokurori, as Gjykata nuk duhet të flasin publikisht që nga ky moment duhet të ndalohen."

Hyseni: Sot paraqesim një plan paraprak hetimi  

Hyseni gjatë fjalës së tij u shpreh se në mbledhjen e sotme do paraqitet vetëm, një plan paraprak hetimi.

"Përsa i përket planit të hetimit sot paraqesim vetëm një plan paraprak, plan i cili patjetër që nuk është përfundimtari. Në mbledhjen tjetër do të marrim sugjerimet e secilit prej anëtarëve për të definuar një plan përfundimtar hetimi.

Sa i takon planit të sotëm, ai bazohet në njoftimin e Presidentit të Republikës në lidhje me objektin e hetimit si dhe të drejtën që ka Presidenti për t'u shprehur në këtë komision.

Pikë tjetër e planit paraprak është marrja e të dhënave zyrtare dhe jo zyrtare që njihen nga institucionet lidhur me objektin e hetimit."

Vasilika Hysi: Të krijohet planifikimi kalendar

Vasilika Hysi kërkoi që në përfundim të çdo mbledhjeje të komisionit të ketë një njoftim shtypi për gazetarët dhe opinionin publik.

Hysi gjithashtu kërkoi një planifikim kalendarik në mënyrë që të gjithë personat dëshmitarë, së bashku me Presidentin të planifikojnë kohën.

"Unë do të doja që në kuadër të transparencës në përfundim të çdo mbledhjeje të komisionit të ketë një njoftim për gazetarët, një njoftim shtypi që të japë një informacion për çfarë është diskutuar. Kjo do të ishte e dobishme me qëllim që asnjëri nga ne të mos flasë.

Media dhe publiku i gjerë ka nevojë të kenë një njoftim për shtyp, pasi njoftimi që nxjerrim ne nuk është i plotë për interesin e medias.

Së dyti, lidhur me planin paraprak dhe faktin që kemi vetëm 3 javë kohë do të ishte mirë që të kemi një planifikim kalendar. Kjo do të orientonte shumë mirë punën e anëtarëve të komisionit, dhe do të krijonte mundësi si për Presidentin, si për dëshmitarët që do të thirren që të planifikojnë kohën. "