Meta mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë: Dhuroni gjak, mjaftojnë 10 minuta për të shpëtuar një jetë

Në ditën ndërkombëtare të Talasemisë, presidenti Ilir Meta përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, u shpreh se kjo është një ditë në të cilën duhet të ndërgjegjësohemi për të ndërmarrë nisma me qëllim parandalimin dhe kurimin e kësaj sëmundje dhe në veçanti për të shtuar përpjekjet në ndihmë të pacientëve fëmijë.

“Dita Ndërkombëtare e Talasemisë, na fton të gjithëve për të ndërgjegjësuar më shumë qytetarët dhe vendimmarrësit rreth kësaj sëmundjeje, për të ndërmarrë nisma me qëllim parandalimin, menaxhimin dhe kurimin e saj, si dhe në veçanti për të shtuar përpjekjet në ndihmë të pacientëve dhe fëmijëve, që vuajnë, për të jetuar normalisht.”

Presidenti Meta shkruan se është përgjegjësi e të gjithëve të eleminojmë pabarazitë shëndetësore teksa fton qytetarët të dhurojnë gjak në ndihmë të sëmurëve talasemik, duke theksuar se me situatën më të qetë të pandemisë në vend ky proces është akoma më i thjeshtë.

“Është përgjegjësi e të gjithëve ne të eliminojmë pabarazitë shëndetësore dhe t’u ofrojmë të sëmurëve talasemikë, një jetë shoqërore cilësore, të denjë dhe të mirë-integruar, pa u stigmatizuar dhe margjinalizuar, apo më keq akoma, të vuajnë nga mungesa e gjakut të mjaftueshëm dhe të sigurt për nevojat e tyre jetësore.

Tashmë, që kemi një situatë më të qetë me pandeminë, me vaksinimin e një pjese të popullsisë, si dhe me imunizimin e një pjese tjetër, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht të rinjve e të rejave të bashkohen me kauzën e dhurimit të gjakut.

Mjaftojnë vetëm 10 minuta për të dhuruar gjak dhe mbi të gjitha për të shpëtuar jetën e fëmijëve talasemikë.

Krenar dhe falenderues për rolin e jashtëzakonshëm të luajtur për këtë qëllim, veçanërisht për sensibilizimin frymëzues, që "Aleanca për Dhurimin e Gjakut" ka luajtur në këto vite, për solidarizimin me kauzën humane dhe fisnike të dhurimit të gjakut,” shkruan Presidenti.