Armë zjarri, grirëse hashashi dhe heroinë, arrestohen 3 persona në Durrës

Tre persona në Durrës kanë rënë në pranga pas kontrolleve që janë bërë në këtë qytet për parandalimin e veprimtarisë kriminale.

Sipas njoftimit të bluve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

H. K., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 16, Durrës, është ndaluar nga shërbimet e Policisë mjeti tip "Smart", që drejtohej nga ky shtetas, dhe gjatë kontrollit u gjet një armë zjarri pistoletë, 9 fishekë, 1 thikë dhe një sasi lëndë narkotike marijuanë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

E. K., 34 vjeç, banues në Durrës, i cili po lëvizte me biçikletë në lagjen nr. 4, Durrës, dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Patrullat e Përgjithshme i janë gjetur 42 doza me lëndë narkotike heroinë, 17 doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë prej 108.890 lekësh dhe 3 grirëse hashashi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

E. H., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi shërbimet e Policisë e kanë ndaluar në lagjen nr. 1, Durrës dhe gjatë kontrollit fizik, në xhep, iu gjetën fara të dyshuara canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme.