Ekzekutoi të shoqen me kallashnikov në derë të drejtësisë, Gjykata lë në burg Koço Buzon
Koço Buzo, 58 vjeçari që ekzekutoi bashkëshorten, Liljanën në sy të djemve dhe në derë të Gjykatës së Elbasanit ku ajo kishte kërkuar mbrojtje ndaj tij për dhunë në familje do të mbetet në qeli.
Togat e zeza caktuan masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish efektivin e përjashtuar të policisë së Shtetit i akuzuar për vrasjen e gruas 54 vjeçare dhe plagosjen e dy kalimtarëve nga breshëria e armës së zjarrit.
Masa nuk është kundërshtuar as nga avokati mbrojtës i të pandehurit, Bajram Kllogjeri i cili e ka konsideruar të drejtë për krimin e rëndë të kryer nga klienti i tij.
Koço Buzo në Gjykatë ka qëndruar i heshtur dhe nuk ka bërë komente, ndërsa gjatë marrjes në pyetje pas vrasjes, 58 vjeçari nuk shfaqi pendesë për krimin, duke deklaruar se gruan e kishte paralajmëruar se nuk do ta toleronte ndarjen.
Por më 17 mars 2021, gjatë marrjes në pyetje në prokurorinë e Elbasanit për kallzimin e gruas për dhunë në familje 58 vjeçari kishte mohuar akuzat.
"Jo nuk e kam goditur asnjëherë Liljanën, nuk kam arritur asnjëherë në atë pikë sa të ushtroja dhunë ndaj bashkëshortes time," është shprehur më tej ish polici pasi është pyetur nëse kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
Të enjten, më 6 mars cifti Buzo kishin seancën e ballafaqimit në Gjykatën e Elbasanit.
58 vjeçari vetë nuk u paraqit dhe i kishte kërkuar edhe gruas së tij që të heqë dorë nga gjyqi.
Ndaj kur ajo doli nga Gjykata, Koço Buzo i bëri pritë me automatik dhe që e qëlloi me breshëri pas shpine në prani të djemve që e shoqëronin.
Nga të shtënat mbeten të plagosur edhe avokati, Gëzim Toçila si dhe kalimtari Adriatik Kola.
Koço Buzo u arrestua pak minuta pas krimit me automatikun kallashnikov në dorë dhe një thikë në brez.
