Në gjurmë të grabitësve të dyqaneve të celularëve në Dibër: 2 të arrestuar, të proceduar dhe 2 adoleshentë
Policia e Dibrës ka zbuluar autorët e dyshuar të grabitjes së dy dyqaneve të ndodhura në qytetin e Peshkopisë dhe në Maqellarë.
Policia ka arrestuar dy nga autorët e dyshuar ndërsa ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë si dhe procedohen penalisht dy shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmendur në bashkëpunim me një tjetrin, në Maqellarë kanë vjedhur me thyerje një dyqan celularësh në pronësi të një 53-vjeçari, dhe më pas celularët e vjedhura i'a kanë dhënë për qëllime përfitimi shtetasit M. P., ku ky i fundit i ka fshehur, me qëllim mosgjetjen e tyre nga kontrolli i Policisë. Po në vijim të hetimit, ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmendur janë autorë dhe të vjedhjes së një dyqani celularësh në qytetin e Peshkopisë, ku kanë arritur të marrin disa celularë” informon policia.
Të arrestuar janë: A. Ll., 19 vjeç, M. P., 30 vjeç banues në Bulqizë.
U proceduan penalisht shtetasit K. V., 17 vjeç, K. H., 17 vjeç; si dhe u shpallën në kërkim policor shtetasit R. Xh., K. Sh., banues në Bulqizë.
Policia ka sekuestruar sendet e gjetura të vjedhura nga autorët dhe dy automjete me të cilët udhëtonin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.
Vijon puna intensive për dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë ku dyshohet se janë të implikuar këta shtetas.