Zëdhësësi i Presidentit: Komisioni hetimor "shashkë", kush kreu krime zgjedhore nuk meriton mandat
Teksa komisioni i posaçëm hetimor ka nisur hetimet për Ilir Metën presidenti mbetet i prerë në qëndrimin e tij kundrejt kësaj nisme duke e konsideruar tentativën për shkarkimin e tij si “shashkë” për të evituar vemëndjen nga zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një deklarate në facebook zëdhënësi i presidentit nënvizon se drejtësia duhet të nisë tani të veprojë dhe se Procesi zgjedhor i 25 prillit akoma nuk ka përfunduar.
"Organizatat prestigjioze ndërkombëtare, që merren me standardet e zgjedhjeve, përditë po reagojnë qartë për të vërtetën reale të këtyre zgjedhjeve.
Të gjithë jemi dëshmitarë se:
Blerja e votës ka qenë një fenomen masiv;
Qeveria përdori asetet dhe fondet publike në interes të saj politik në fushatë;
Procesi i vaksinimit të popullatës u shfrytëzua në funksion të fushatës së partisë në pushtet;
Të dhënat personale të qytetarëve u keqpërdorën në mënyrë kriminale;
Emigrantëve nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut ju mohua padrejtësisht e drejta për të votuar;
Lejet e legalizimit dhe shpërblime të tjera të kësaj natyre u dhanë për të siguruar votën e zgjedhësve;
Kontratat e Koncesionit vërshuan lumë gjatë procesit zgjedhor;
Fondet e rimbursimit për tërmetin u bllokuan për muaj me radhë, që të keqpërdoreshin dy ditë para zgjedhjeve.
Të gjitha krimet zgjedhore duhet të zbardhen, pa vonesë dhe të gjithë ata zyrtarë, të çdo niveli, të cilët kanë konsumuar vepra penale për cenimin e standardeve të procesit të 25 prillit duhet të përgjigjen përpara ligjit" shkruan Blushi ne nje postim në facebook.
Drejtësia duhet të nisë me zbardhjen e krimeve zgjedhore dhe vënien para ligjit të atyre që cënuan standardet e 25 prillit.
Madje thekson se çdo kandidat, që ka përfituar mandat me krime zgjedhore nuk ka të drejtë të ulet në Kuvend dhe të përfaqësojë popullin shqiptar.
"Cilido, që ka kryer krime zgjedhore duhet të ndëshkohet dhe nuk e meriton mandatin për në Kuvendin e Shqipërisë.
Çdo kandidat, që ka përfituar mandat me krime zgjedhore nuk ka të drejtë të ulet në Kuvend dhe të përfaqësojë popullin shqiptar.
Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet dhe rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor. Çdo proces ankimor dhe kushtetues të shqyrtohet me objektivitet dhe paanësi.
Drejtësia duhet të funksionojë tani!
Kjo është e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit dhe asnjë "shashkë", që synon të shpërqëndrojë fokusin nuk meriton asnjë sekondë vëmendje."

