Brdariç: Meritonim 3 pikë. Askush nuk fliste për titull te Vllaznia
Trajneri Thomas Brdariç vlerësoi skuadrën për paraqitjen me Teutën duke deklaruar se skuadra e tij meritonte 3 pikët pas 90 minutave.
“Fillimisht duhet të them që luajtëm ndaj një prej ekipeve kryesuese, e vështirë. Ne bëmë një ndeshje të mire dhe meritonim 3 pikët por sërish nuk arritëm të shënonim dhe ky është problemi.”
Lidhur me shanset për titull të Vllaznisë, trajneri i shkodranëve e shikon ndryshe teksa tha se askush më para nuk mund të fliste për titull dhe vuri theksin te ekipi i ri që po ndërton për të ardhmen.
“Titulli i vështirë?Më parë askush nuk ka folur për titullin. Ne po bëjmë një Vllazni të re, kemi bërë një sezon të rëndësishëm dhe të gjithë duhet të jenë krenarë. Gjithçka ishte në kontrollin tonë, kishim disa shanse të pastra. Duhet të jemi më të zgjuar dhe më të qartë në disa situate për të gjetur drejtimin e duhur. Oferta për verën e bardhë ndaj Martinit a mbetet në fuqi? Po, do të jetë gjysmë gote, sepse meritonim fitoren. Ishte shaka, mendoj se në futboll duhet të pranosh rezultatin, duhet të shikojmë përpara dhe të shfrytëzojmë ndeshjet e tjera.”
I ngacmuar nëse Vllaznia do të jetë mes 4 më të mirave në fund të sezonit Brdariç reagoi duke kërkuar më shumë durim në Shkodër.
“Duhet të analizojmë ndeshjen me Teutën. Të gjithë duhet të jenë më të duruar këtu në Shkodër dhe disa pyetje ndonjëherë nuk i kuptoj. E përsëris që kemi luajtur një sezon shumë të mirë dhe jemi ende kompetitivë. Kemi punuar shumë dhe do ta bëjmë edhe për ndeshjen tjetër për të marrë pikë”.
