5 vjet nga pranimi në UEFA, presidenti i FSHF, Duka uron Kosovën
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ishte një nga personat që punoi më shumë bashkë të ndjerin Fadil Vokrri për pranimin e Kosovës në futbollin europian dhe botëror, si anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.
Sot 5 vjet nga dita e madhe kur Kosova u bë me të drejta të plota me përfaqësueset e tjera në Europë, presidenti Armand Duka uroi me një status të gjatë homologun Ademi pa harruar edhe ish legjendën e futbollit dardan dhe ish presidentin e federates së Kosovës, Fadil Vokrrin.
Reagimi i plotë i presidentit të FSHF, Armand Duka i cili uron Kosovën në 5 vjetorin e anëtarësimit në UEFA:
“Sot është një datë historike për futbollin kosovar dhe Federatën e Futbollit të Kosovës. 5 vite më parë Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA gjatë Kongresit të 40-të, duke shënuar kështu një arritje të madhe në arenën ndërkombëtare.
Dua të shpreh urimet më të sinqerta për FFK-në, presidentin Agim Ademi dhe të gjithë aktorët e futbollit në Kosovë në këtë përvjetor të pestë.
Ndihem mirë teksa shoh që futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdha përpara, duke u rritur dhe duke u përfaqësuar gjithmonë e më mirë edhe ndërkombëtarisht.
Federata Shqiptare e Futbollit është krenare për kontributin që ka dhënë në këtë proces historik dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vëllezërit tanë të FFK për të çuar përpara projekte të mëdha në të mirë të futbollit.
Falënderim e mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK, legjendën Fadil Vokrri, pa kontributin e të cilit kjo ngjarje historike do të ishte e pamundur. Urime edhe një herë Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë ditë të shënuar!
