Teuta, Martini: Barazimi, rezultati më i drejtë. Verën e dua të kuqe

Trajneri Edi Martini e shikon gotën gjysmë plot pas ndeshjes në “Loro Boriç” aty ku Teuta e tij doli me një barazim të cilin e konsideron si rezultatin më të drejtë.

“Fati është pjesë e lojës, ndonjëherë të braktis ndonjëherë është me ty. Mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë, në pjesën e parë u munduam të ruajmë rezultatin, sepse e dijmë lojën e mire që bën Vllaznia dhe si është organizuar.
Në pjesën e dytë e ngritëm ekipin më lart për të mos i lënë terren Vllaznisë, ata nuk na rrezikuan asnjëherë në pjesën e dytë ndërsa ne kishim dy raste, një herë me Vilën e një here me Krasniqin ku mund të kishim bërë më mirë por ky është futbolli”.

Për ish sulmuesin e Vllaznisë, tani në krye të durrsakëve, Teuta është në rrugën e duhur drejt titullit në ndeshjet e mbetura ndërsa nuk mungoi edhe përgjigja ndaj Brdariç i cili tha se do ta qeraste me verë të bardhë pas ndeshjes.

“Kampionati ka ndeshje shumë, ashtu si ka ardhur nga java në javë ka ndryshime në tabelë. Jemi në rrugën e duhur, duhet të marrim çdo ndeshje si finale e të mos shikojmë se çfarë bëjnë kundërshtarët. Ne kemi ndeshje të vështirë këtë javë me Ballshin, pastaj të shikojmë. Vera e bardhë e ofruar nga Brdariç? Unë e preferoj të kuqe, ai të bardhë, kështu që duhet të gjejmë një të mesme. Nuk dua të kem polemika, shikoj ekipin tim dhe nuk e di si u del njerëzve të merren me të tjerët. Nuk kam kohë, shikoj ekipin tim dhe jo të tjerat”.