Çfarë zhgënjimi, Barça humbet mundësinë e kryesimit
Duhej të ishte dita ku mund të shikonin Barcelonën në krye të kampionatit spanjoll por nuk ndodh kështu. Katalanasit zhgënjejnë tej mase në ndeshjen e prapambetur ndaj Granadas ku një fitore ndaj tyre do ta katapultonte skuadrën direkt në vendin e parë mbi Atletico Madrid por ekipi i Koeman bën një “vetëvrasje” teksa u mund 1-2 nga Granada në “Camp Nou”.
Një gol i Messit në 23’ pas kombinimit të bukur me Griezmann i dha avantazhin skuadrës dhe gjithçka u duk shumë e lehtë për ta. Në Minutën e 63’ pas një kundërsulmi, Granada barazoi rezultatin me Machis çka duket se u hoqi qetësinë katalanasve dhe kjo u duk edhe te kartoni i kuq që mori Koeman nga stoli.
Nuk mjaftoi kaq por në një aksion të shpejtë nga e majta, Molina me kokë i shërbyer shokoi Barcelonën me golin e dytë dhe gjithçka mbaroi me kaq pa asnjë ndryshim deri në 90’. Një goditje e rëndë për Barcelonën që sigurisht mbetet në lojë për titull por mbetet frika se kjo humbje mund të ndikojë në ndeshjet e tjera që kanë mbetur.
