Roje kundër hajdutëve, vjedhjet “zbrazin” fshatin në Lezhë, banorët në alarm

Hajdutët po bëjnë kërdinë në fshatin Baqel të Lezhës, çka i ka detyruar banorët të bëjnë vetë roje për të mbrojtur pronat.

Thuajse çdo javë në Baqel të Lezhës denoncohet një vjedhje.

Fenomeni ka marrë përmasa të frikshme në fshatin pjesë e njësisë administrative Blinisht.

Shtëpitë e bagëtitë janë objektiv kryesor I hajdutëve tregojnë banorët që fajësojnë policinë për mungesë reagimi.

"Mua ma kanë vjedhur 3 herë. Më kanë thyer edhe dyqanin. I kam rënë policisë së Shkodrës dhe asaj të Lezhës. Ajo e Lezhës nuk del fare këtu."

Në këto kushte, janë ngritur e po bëjnë vetë roje për të mbrojtur pronat nga hajdutët.

"Punojmë gjithë ditën, ndërsa natën bëjmë roje. Jam duke ruajtur djersën time, sepse te policia nuk kam besim. Kur vjen nata na vjedhin dhe s;kemi ku të ankohemi."

Vjedhjet vijojnë të jenë shqetësim thuajse në të gjitha fshatrat e Lezhës dhe pavarësisht denoncimeve në policisë të rasteve, dokumentimi dhe arrestimi i autorëve është në nivele të ulta.