Kolegët kujtojnë doktor Husin që humbi jetën nga Covid-19

Ky ulli u mboll në nder të mjekut endokrinolog Gerond Husi, i cili fatkeqësisht nuk e fitoi dot betejën  me koronavirus.

Pema me emrin e tij qëndron në hyrje të spitalit 6 katësh ku për vite më radhë doktor Geri ka ndihmuar këdo.

Mes lotësh dhe duartrokitjesh, i ati falenderoi çdo koleg për mbështetjen, ndërsa vuri theksin te heshtja e institucioneve shtetërore, për humbje të tilla.

 "Meqë i është vënë emri luftë, të gjithë ata mjek dhe infermier, shërbyes duhet të vlerësohen si dëshmor të këtij kombi sepse ju u ndeshët me një armik të pa dukshëm. Lufta ka dhe viktima dhe këto viktima janë dëshmor. Nuk e di shteti se sa do dijë ti vlerësojë."

Largimi i parakohshëm nga jeta, është një humbje e madhe për secilin prej bluzave të bardha.

Kjo pemë simbolike megjithëse mban emrin e doktor Husit, është edhe në respekt të të gjithë mjekëve që humben betejën me Covid-19.

"Kjo pemë që duam të vendosim këtu sot është në kujtim të të gjithë punës që kanë bërë mjekët në Qendrën Spitalore Universitare dhe kudo në Shqipëri për të përballuar luftën me Covid. Geri ishte shumë i shtrenjtë për neve sepse nuk bëhej fjalë që nuk ishte vetëm mjek. Ajo që e dallonte Gerin në radhë të parë ishte që ishte njeri. Geri ishte njeriu që gjendej në çdo orë të ditës në çdo orë të natës. Ishte një humbje që kemi ndjerë të gjithë komuniteti i mjekëve. Jemi mbledhur të gjithë bashkë për të krijuar simbolet tona."

Doktor Gerond Husi humbi jetën një muaj më parë, ndërsa prej fillimit të pandemisë deri në mars, nuk e fituan betejën me Covid  43 mjekë dhe infermierë dhe punonjës të shëndetësisë.