Tenderi i dyshimtë, Bashkia e Tiranës 18 milionë lekë për pastrimin e liqeneve
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka realizuar së fundmi një tender që ngre hije dyshimi për mënyrën se si është përzgjedhur fituesi.
Referuar të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, institucioni nën varësinë e Bashkisë Tiranë dhe i drejtuar nga Erinda Fino, edhe në këtë rast rezulton të ketë bërë një prokurim pa konkurencë.
Për pastrimin e basenit të liqeneve në parqe me fond limit 18.1 milionë lekë, pjesëmarrësja e vetme rezulton kompania ‘Naim 2020’ shpk.
Ky subjekt ka arritur kështu të sigurojë kontratën me vlerën e paraqitur prej 18 milionë lekësh, pra një diferencë shumë e vogël nga ajo që kishte parashikuar Agjencia e Erinda Finos.
Përveç mungesës së konkurencës, mesohet se firma fituese ka shtuar në aktivitetin e saj pastrimin e mbetjeve në liqene vetëm 4 ditë para hapjes së tenderit nga Bashkia.
Fakt ky që ngre dyshime për fitues të paracaktuar.
Referuar dokumentacionit ne Qendrën Kombëtare të Biznesit, subjekti ‘Naim 2020’ nën administrimin dhe pronësinë e Naim Koçit e ka shtuar në aktivitetin e tij ‘Grumbullimi dhe pastrimi i mbetjeve ne dete, liqene dhe lumenj’ në datën 4 mars të vitit 2021.
Ndërkohë që tenderi rezulton të jetë hapur në datën 8 mars, pra 4 ditë më pas.
Ky është një tjetër rast që Agjencia nën drejtimin e Erinda Finos, ka nënshkuar pa garë.
Vetëm pak ditë më parë, në garën për blerjen e tapetit të barit artificial mori pjesë vetëm biznesi familjar i ish kryetarit të Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku e arriti kështu në mënyrë automatike të shapllet edhe fituesi.
Këto procedura vazhdimisht janë ngritur si shqetësim jo vetëm në media por edhe janë kritikuar nga institucionet monitoruese megjithatë ende nuk ka nisur ndonjë hetim apo verifkim, as nga KLSH as nga SPAK.

