Apeli i Metës: Të shmanget çdo incident e provokim deri në 25 prill, vota juaj e lirë vendos!

Apeli i Metës: Të shmanget çdo incident e provokim deri në
Presidenti Ilir Meta gjatë tubimit të 2 marsit 2020

Presidenti i vendit, Ilir Meta, kur na ndajnë 2 ditë nga dita e votimeve, shkruan në Facebook se do të jetë vota e sovranit ajo që do ta përcaktojë drejtimin e vendit.

Meta ka bërë thirrje që kjo ditë të jetë një manifestim i qytetarisë dhe i kulturës demokratike, duke zbatuar vullnetin e lirë për qeverisjen e vendit.

Meta ka përsëritur apelin e tij që këto orë të mbetura nga 25 Prillit, të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.

Meta: Të dashur qytetarë, nëna, baballarë, motra, vëllezër dhe ju të reja dhe të rinj! Mbeten vetëm 48 orë, kur me votën tuaj ju do të përcaktoni vullnetin e Sovranit për drejtimin e vendit. Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Evropës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve. Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit. Prandaj, në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.

Meta këtë thirrje e ka pasur edhe forcat e policisë dhe punonjësve të administratës publike që të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar ligjin.

Meta: Një thirrje të posaçme, u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën. E ritheksoj, që këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme! Sepse ato janë jo vetëm për 4 vite, por për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Prandaj, të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë. Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik. Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Evropë! Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve! Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani!

Thirrjet e presidentin Meta vijnë në një kohë kur ditët e fundit janë përfshirë nga incidente të shumta lidhur me fushatën e zgjedhjet, të cilat kulmuan me përplasjen në Elbasna ku mbeti i vrarë Prejin Xhuvani.