Zhduket themeluesi i platformës së kriptomonedhës turke, mund të ketë fluturuar drejt Tiranës

Turqia është vënë në ndjekje të një biznesmeni të dyshuar për mashtrim të rëndë financiar dhe që besohet se ndodhet në Shqipëri.

Policia e Stambollit njoftoi se Fatih Ozer, drejtuesi i një kompanie që menaxhon monedhat virtuale, mund të ketë fluturuar drejt Tiranës.

Ai dyshohet se ka përvetësuar miliona dollarë të ardhura nga 400 mijë llogari që kontrollonte nëpërmjet kompanisë së tij, "Thodex" të cilën e kishte themeluar.


Autoritetet bastisën të enjten zyrat e kompanisë pas ankesave të klientëve se nuk kishin më qasje në platformën elektronike.

Kompania qarkulloi në ditën e fundit mbi 500 milionë dollarë, ndërsa vlera e llogarive aktive arrin deri 2 miliardë dollarë.

Përfaqësuesit e kompanisë thonë se e kanë pezulluar aktivitetin pasi janë në proces shitjeje.

Po ashtu, biznesmeni Ozer i ka mohuar akuzat se është larguar me paratë e klientëve, duke reaguar nëpërmjet medieve se ka ikur jashtë për të takuar investitorë të huaj dhe se do të rikthehet për të bashkëpunuar me autoritetet.

Qytetarët turq prej muajsh kanë zgjedhur të investojnë në monedha virtuale për t'i shpëtuar inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës turke, por javën e kaluar Turqia i ndaloi pagesat me valuta si Bitcoin, pasi paraqesin rreziqe financiare për qytetarët dhe për vendin.