Pogradec, tentoi të kalonte 6 emigrantë të paligjshëm, prangoset 35-vjeçari



Arrestimi i 35-vjeçarit, foto nga video e Policisë së Shtetit

Vijojnë arrestimet në kuadër të operacionit policor "Perimetri" në qarkun e Korçës.

U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas i cili po tentonte që të kalonte në mënyrë të paligjshme kufirin, kundrejt shpërblimit.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në  bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit të koduar "Perimetri", kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. F., 35 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll. Shtetasi i mësipërm, u kap nga shërbimet e Policisë në fshatin Gështenjas, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip "Volkswagen", 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 200 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së." - njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.