Ekspertiza e vrasjes në Elbasan: 5 plumba e 20 gëzhoja, mister kush qëlloi i pari
Pjerin Xhuvani, militanti i Partisë Socialiste rezulton të jetë qelluar me 5 plumba në trup, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
24 orë pas masakrës në Elbasan, ekspertët mjeko-ligjorë kanë njoftuar prokurorinë e qytetit, se Xhuvani ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes me 1 plumb në kokë dhe 4 në trup. Goditja me armë zjarri ka ardhur nga një distancë të vogël. “Ora News”, mëson se Xhuvani është qëlluar me intesitet goditjesh, edhe kur ka qënë i shtrirë përtokë.
Në vendgjarje policia ka sekuestruar 20 gëzhoja pistolete, të cilat besohet se i përkasin dy armëve të ndryshme, kalibër 9 mm dhe 11.1 milimetra.
Të 20 gëzhojat janë çuar për ekzaminim në laboratorin e Policisë Shkencore, për të kryer krahasimin e tyre me armën që ka dorëzuar tek komandanti i RENEA-s, Arbër Paplekaj.

Deri në këtë fazë të hetimit, ish-efektivi i RENEA-s Paplekaj akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave në mënyrë të rrezikshme, “Vrasja e punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë dhe “Heqja e paligjshme e lirisë së kryer me dhunë” e kryer në bashkëpunimin e 9 personave.
Kush qëlloi i pari?
Çështja mbetet e paqartë për sa i përket faktit se kush ishte personi që ka qëlluar i pari, Klement Xhaferri ose “Kel Çami” që tashmë është shpallur në kërkim apo ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj.
Situata për zbardhjen e dinamikës së plotë të krimit, kërkon kohë dhe hetime të mëtejshme. Pritet që në ditët në vijim, prokuroria e Elbasanit të verifikojë me imtësi dhe aparatet telefonike që u janë sekuestruar personave të arrestuar, me qëllim për të mësuar rreth komunikimeve që personat kanë pasur mes tyre.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në 21 prill 2020 tronditi qytetin e Elbasanit, rreth orës 14:00, pasi ish-efektivë policie dhe ish-efektivë ushtrie, bllokuan një automjet të shtetasit Mehmet Grejsi, i cili dyshohej nga PD se po shpërndate lekë dhe blinte votat në lagjen “5 Maji”.
Bllokimi i automjetit dhe mbajtja përmes forcës dhe dhunës së Mehmet Grejsit, ka sjellë përdorimin e armëve deri në ekzekutimin e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e 4 personave të tjerë si Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.

