Vrasja e Pjerin Xhuvanit: 11 të arrestuar, 1 në kërkim, ja versioni i policisë për ngjarjen në Elbasan

Policia ekzekutoi sot 11 urdhra ndalimi për ngjarjen që tronditi dje Elbasanin, ku pas një përplasjeje me prapavijë politike mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërsa u plagosën 4 persona mes tyre dhe një efektive policie.

Vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë doli në një konferencë për medien mesditën e 22 prillit, së bashku me prokurorët për të dhënë versionin zyrtar të ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në lagjen “5 Maj” në Elbasan.

Ndërkohë është shpallur në kërkim Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”  dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Telefonata: Alo! Këtu po blihet vota

"Rreth orës 14:00 të 21 prillit 2021, janë njoftuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nga shtetasi Arjan Hoxha, i prezantuar si përgjegjës i sigurinë  për shtabin elektoral  të subjektit politik Partia Demokratike për  qarkun  Elbasan, së në rrugën ”Lef Nosi”, në qytetin e Elbasanit, kishte një incident me disa persona.

Nga ana e Policisë është vlerësuar informacioni dhe menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë  një patrullë e Forcës  së Posaçme “Shqiponja”, dhe dy zv.drejtorët e Policisë së qarkut, ai i Hetimit dhe ai i Sigurisë.

Në vendngjarje, shtetasi Arjan Hoxha është shkëputur nga grupi i personave që e shoqëronin dhe ka komunikuar me punonjësit e Policisë, duke u thënë se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, për të cilin pretendonin se po kryente veprime për blerje votash për një subjekt politik.   

“Gjithashtu këta shtetas kanë deklaruar se janë vullnetarë të mbrojtjes së votës për Partinë Demokratike. Ata qarkullonin me tre furgonë të bardhë dhe të loguar me siglën e kësaj force politike” informon Veliu.

Struktura e mbrojtjes së votës PD

Drejtori i policisë së shtetit tha se personat e arrestuar janë ish ushtarakë e ish punonjës policie të cilët ishin angazhuar nga PD në strukturën e mbrotjes së votës.

Arbër Paplekaj, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe  Nuredin Kasma. Ata nuk ishin banorë të qarkut Elbasan. 

Si u bllokua makina

"Arjan Hoxha ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Arbër Paplekaj, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe  Nuredin Kasma, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie  dhe nuk janë banorë të qarkut Elbasan."

 

Grupi i personave të ndaluar kanë bllokuar qarkullimin e automjetit  fuoristradë ML të drejtuar nga shtetasi Mehmet G., duke i prerë rrugën,  marrë çelësin e automjetit.

Ndaj këtij shtetasi dyshohet se janë kryer  veprime të kundërligjshme të heqjes së paligjshme të lirisë, nëpërmjet dhunës të kryer në bashkëpunim.

Si u përshkallëzua konflikti

Pas  mbërritjes së forcave të Policisë,  konflikti i nisur më parë u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve  dhe për pasojë ka mbetur i varrë shtetasi Pjerin Xhuvani dhe janë plagosur shtetasit Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xh. S.

I sekuestrohet arma Paplekajt

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 gëzhoja të kalibrave  9  dhe 11.1 milimetra,  4 predha,  tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë ML pa targa  dhe një automjet tjetër tip Benz, 11 telefona celular, pamje filmike etj.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale shtetasit Arbër Paplekaj i është sekuestruar edhe një armë zjarri e tipit “Glock” .

Në Benz nuk ka pasur sende për shitblerje të votës

Policia informon se “nga këqyrja e automjetit  tip ML Benz pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor  nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës.”

Të arrestuar dhe akuzat 

1. Arbër Paplekaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim;

2. Arjan Hoxha
3. Pavlo Vuksani
4. Emiljan Prenga,
5. Juljan Mataj,
6. Erald Guga
7. Erjon Demushi
8. Taulant Ymeri
9. Roland Xhepa
10. Nuredin Kasma

Të dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë” në bashkëpunim.

11. Eldjo Beko, u arrestua në flagrancë  për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”

Në kërkim 

Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”  dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Provat po i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Procedimi penal mban nr. 477 të vitit 2021. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, nga grupi i posaçëm hetimor vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.