Grupet e PD për mbrojtjen e votës, Kim: Të paautorizuara e të papranueshme, falenderon Ramën e Bashën
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ishin të qartë dhe të prerë për shmangien e dhunës në procesin zgjedhor një ditë pas ngjarjes së Elbasanit.
Diplomatja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim tha se përgjegjësit duhet të ndëshkohen .
Kim: “Zgjedhjet e 25 prillit kanë lidhje me të ardhme, jo me të shkuarën. Gjëra të tilla të tmerrshme që kanë ndodhur në të shkuarën siç kanë qenë grupe të paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, është e rëndësishme të mbeten në të shkuarën. Ngjarje të tilla janë të papranueshme për një vend që është anëtar i NATO-s dhe aspiron të integrohet në BE”.
Falenderimi për Ramën e Bashën
Ambasadorja tha se është përgjegjësi e liderëve politikë për të siguruar një klimë të qetë zgjedhore.
Kim: “Ne jemi duke monitoruar të gjitha veprimet e ndërmarra nga drejtuesit e vendit. Dëshiroj të falënderoj kryeministrin Rama dhe Kryetarin e PD Basha që kanë bërë thirrje për qetësi."
Për të garantuar një proces të drejtë diplomatja njoftoi se do të jetë në terren në monitorim të situatës më 25 prill.
Kim: “Unë do të jem pjesë e njërit nga 25 ekipet e ambasadës së SHBA dhe ne do të jemi në të gjithë vendin për të qenë me ju teksa votoni, gjatë procesit të numrit të votave dhe deri në publikimin e rezultatit.”
Zgjedhjet e të dielës për shkak të rëndësisë do të jenë edhe nën vëzhgimin e Bashkimit Evropian.
Soreca: “Evropa dhe Bashkimi Evropian do t`ju ndjekin nga afër. Çfarë ndodh në Tiranë do të jetë e rëndësishme për Bashkimin Evropian pasi Shqipëria është vend kandidat. Thirrja jonë shkon për të gjithë për vetëpërmbajtje dhe shmangie të gjuhës së urrejtjes.”
Deklaratat ambasadorët i bënë pas takimit me Komisionerin Shtetëror Ilirian Celibashi ndërsa në fund përcollën një mesazh në gjuhën shqipe për votuesit shqiptarë.
Soreca: "Ti vendos!"
Kim: "Ne jemi me ju."
Takimi i ambasadorëve me Celibashin erdhi vetëm tre para zgjedhjeve të 25 prillit dhe ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjerë, mes tyre një efektive policie.
